Home Aktualitete BFI: Mesazhi i Kurban Bajramit

BFI: Mesazhi i Kurban Bajramit

Mesazhi i Sekretarit të Përgjithshëm të Bashkësisë Fetare Islame të RM me rastin e festës së Kurban Bajramit 2009.

Në emër të Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
Allahu i Lartësuar thotë:
“Ne vërtet, të dhamë ty shumë të mira. Andaj bën namaz dhe therr kurban për Zotin tënd!” (El Keuther)

Të nderuar vëllezër dhe motra,
Më paraqet nder i veçant që me rastin e festës së Kurban Bajramit, në emër të Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë dhe kryetarit të saj, Reis ul Ulema Haxhi Sulejman ef. Rexhepi dhe në emrin tim personal, t’ua uroj këtë festë islame, duke iu drejtuar me lutje Mëshirëplotit për ndihmë, mbarësi, shëndet dhe lumturi.
Festa e Kurban Bajramit është kremtim i kryerjes së shtyllës së pestë islame- haxhit që njëherit është tubimi i myslimanëve nga të gjitha anët e botës në vendet e shenjta në mesin e tyre edhe hanxhinjë nga vendi ynë në krye me Reis ul Ulema H.Sulejman ef.Rexhepi.
Kur’ani Fisnik thotë; “Xhamia e parë e ndërtuar për njerëzit është ajo që u ngrit në Bekë, e dobishme udhërrëfyese për mbarë njerëzimit. Aty ka shenja të qarta, vendi i Ibrahimit dhe kush hyn në të, ai është i sigurt.” (Ali Imran:96,97), andaj, lusim Allahun xh.sh. t’i ndihmojë haxhinjtë në kryerjen e obligimeve të caktuara, të përjetojnë dobitë e Qabes, shenjat e qarta dhe sigurinë e garantuar nga Krijuesi i jetës dhe të na kthehen me haxh të pranueshëm.
Besimtarë të nderuar,
Derisa përmes ibadetit të haxhit dëshmohet lartësimi ndaj Allahut dhe përkushtimi ndaj Tij, kjo festë të cilën e fillojmë me tekbire, pra duke e lartësuar dhe madhëruar Allahun xh.sh. na mundëson që përmes kurbanit të mësojmë ndjenjën e sensibilizimit me të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmë.
Allahu xh.sh. përmes Kur’anit famëlartë na drejtohet me fjalët:
 “Thuaj namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për Allahun,. (El-En’amë, 162)


Ndërsa në një ajet tjetër thotë:
“O ju njerëz, vërtetë Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise për ta njohur njëri-tjetrin. Më  i ndershmi ndër ju tek Allahu është ai më i devotshmi... (El Huxhuratë:13)

Andaj, besimtarë të nderuar t`i shfrytëzojmë ditët e festës së Kurban Bajramit që t`i zbatojmë porositë e Krijuesit tonë, të njihemi mes veti e jo të urrehemi! T`u japim përparësi dialogjeve e jo dhunës, sepse përdorimi i dhunës është e ndaluar për besimtarët musliman.
E ju që keni mundësi materiale, therrni kurban në emër të Allahut xh.sh. dhe këtë festë bënie edhe më festive përmes zemërgjerësisë, solidaritetit dhe afrimit tuaj, mos lejoni që vëllau, fqiu dhe miku i juaj, jetimi të ndjejnë moskujdesin tuaj. Harroni mospajtimet, pajtohuni, uroni dhe silluni në mënyrë islame, reflektoni nga nuri i imanit tuaj që të arrini pëlqimin dhe shpërblimet e Shpërblyesit të Madhërishëm.

Me këtë rast, i lutemi Allahut xh.sh. që gjithandej ku jetojnë myslimanët dhe mbarë njerëzimi, të lëshojë rahmetin e Tij, t’i ndihmojë në progresin e tyre dhe t’i mbrojë nga të këqiat e mendjeve të ligëta dhe të mbyllura. T`i mbrojë ata nga sëmundjet e ndryshme qofshin sëmundje shpirtërore apo trupore, të cilat vijnë si rezultat i mospërfilljës së dispozitave kur`anore. Ai është Mbrojtësi dhe Ruajtësi më i mirë.

Urimet të përzemërta u shprehim të gjithë besimtarëve tanë në vend, vëllezërve tanë në regjion dhe më gjërë si dhe mërgimtarëve duke u dëshiruar mirëqenie, disponim të këndshëm dhe kënaqësi gjatë ditëve të festës së Kurban Bajramit e njëherit lusim Allahun xh.sh. që t`i pranojë ibadetet tona, përfshirë edhe therrjen e kurbanëve në emër të Tij.

Gëzuar festën e Kurban Bajramit. Allahu ju bekoftë.

Vesselamu alejkum verahmetullahi ve berekatuhu


Sekretari i Përgjithshëm i
Bashkësisë Fetare Islame të RM
h. Afrim ef. Tahiri