
Viti i ri Islam- Hixhri 1431 dhe njëzet e pesë vjetori i ripërtëritjes së Medresesë “Isa Beu” në Shkup, ishin dy arsyet për të cilat Bashkësia fetare Islame e Maqedonisë organizoi të enjten në Shkup, Akademi Solemne.
Driton Dikena
"Dora që përkund djepin arsimon dhe kombin"
"Veprimi i Muhamedit a.s. gjatë hixhretit në Medine ashtu siç ishte frymëzim gjatë historisë, mund të shërbejë edhe në jetën tonë aktuale si motivacion për të tejkaluar vështirësitë me të cilat po ndeshemi, udhërrëfyes për njeriun e sotëm që ka filluar të humb veten pas gjërave të kësobotshme”. Ishte ky mesazhi që doli prej Akademisë solemne që në Shkup e organizoi Bashkësia Fetare Islame të Maqedonisë më rastin e Vitit të Ri islam – Hixhri 1431 si dhe u shënua për njëzet e pesë vjetori i ripërtëritjes së Medresesë “Isa Beu” në Shkup.
Personalitete të jetës fetare dhe publike, ambasadorë të përfaqësive diplomatike në Shkup, përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe pushtetit lokal, anëtarë të ekzekutivit të shtetit, ishin një pjesë e mysafirëve që i dhanë sharmin këtij manifestimi i cili është shndërruar në një manifestim tradicional ku bashkërisht po përkujtohet emigrimi i Profetit të Islamit, Muhamedit a.s., ngjarje kjo e cila paraqet njërën nga datat më të dalluara në kalendarin islamik dhe njëkohësisht shënon fillimin e vitit të ri Hixhri.
Organizatorin e këtij manifestimi Kryetarin e Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë Reis ul Ulema Haxhi Sulejman Efendi Rexhepi, me ardhjen e tyre e kishin respektuar edhe dy homologet e tij shqiptarë nga dy shtetet shqiptare, kryetari i Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, Myfti, Naim Efendi Tërnava dhe përfaqësuesi i kryetarit të Komunitetit Mysliman të Republikës së Shqipërisë, Myfti, Ali Hallaçi.
Akademia solemne me rastin e Vitit të Ri Hixhri 1431 nuk u morr vetëm si një natë kur akrepat e orës tregojnë ndërrimin e moteve!
Komuniteti mysliman këtu në Maqedoni gjatë po të njëjtës Akademi shënoi edhe njëzet e pesë vjetorin e ripërtërirjes së Medresesë “Isa Beu” në Shkup.
Gjatë urimit të tij për Vitin e Ri Islam- Hixhri 1431, kryetari i Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, Myfti, Naim Efendi Tërnava tha se rruga drejt pavarësisë së Republikës së Kosovës i ngjan shumë rrugës së hixhretit të profetit të fundit në Islam Muhamedit a.s.“Dhe derisa Muhamedi a.s. për 10 vite me radhë ishte i shtypur dhe i diskriminuar nga populli jobesimtarë, ashtu edhe populli i Kosovës për dekada me rradhë ishte i shtypur. Dhe derisa emigrimi i Muhamedit a.s., ndriçoi mendjen e njerëzve të asaj kohe dhe mundësoi që Islami të përhapet me tërë fuqinë e vetë ashtu edhe lufta jone për liri ndriçoi mendjet e komunitetit ndërkombëtarë dhe lejoi që Kosova të shkoj drejt pavarësisë së saj dhe sot me plot të drejtë të quhemi se jemi shteti më i ri në botë si Republika e Kosovës”, theksoi Tërnava.
Ai më pas shtoi se Zoti na ka lënë këtu dhe ne këtu do të mbesim deri në ditën e kijametit që të madhërojmë Zotin dhe të dërguarin e tij Muhamed Mustafanë. Edhe Myfti, Ali Hallaçi përshëndeti të pranishmit në emër të Komunitetit mysliman të Republikës së Shqipërisë dhe uroi që Zoti të bekoj shqiptarët kudo që janë. Me rastin e Vitit të Ri Islam- Hixhri 1431, Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, Reis ul Ulema, Haxhi Sulejman Efendi Rexhepi tha se Hixhreti, pra shpërngulja e Muhamedit a.s. nga Meka në Medine paraqet ndarjen e të vërtetës nga e pavërteta, të drejtën nga padrejtësia dhe dritën nga errësira.
Vendosmëria dhe arsimimi janë vlerat e njëmendta të një shoqërie
“Hixhreti dhe qëndrimi i Muhamedit a.s. në Medine paraqet momentin kur porosia fetare e gjeti mishërimin e vetë të parë, kur Pejgamberi praktikisht e dëshmoi karizmën e të Dërguarit të Zotit që e bartë Shpalljen dhe autoritetin e udhëheqësit i cili zgjidhte konflikte dhe udhëhiqte bashkësinë e besimtarëve. Me rastin e hixhretit në Medine, u formua bashkësia e parë administrativo politike e myslimanëve ku vlen të theksohet se për një periudhë të shkurtër u ngrit vetëdija kolektive, Medineja la pas vete përçarjen, dhe u bë shembulli më i mirë i vendosjes dhe praktikimit të ligjit të Allahut. Allahu xh.sh. në Kur’anin Famëlartë thotë: ”Ata që besuan, migruan dhe luftuan me pasurinë dhe me veten e tyre në rrugën e Allahut, ata kanë pozitën më të lartë te Allahu dhe vetëm ata janë fatlum”, pra për këto shkaqe Viti i Ri Hixhri, përherë do të ketë vlerë shumë më të madhe se sa ndërrimi simbolik i motmoteve. Fillim viti sipas kalendarit hixhri do të jetë përkujtim për të gjitha gjeneratat se besimi i sinqertë dhe mbështetja te Krijuesi, flijimi, guximi, urtia, uniteti, vendosmëria dhe arsimimi janë vlerat e njëmendta të një shoqërie”, theksoi Reis ul Ulema Haxhi Sulejman Efendi Rexhepi.
Sipas tij, veprimi i Muhamedit a.s. gjatë hixhretit në Medine ashtu siç ishte frymëzim gjatë historisë, mund të shërbejë edhe në jetën tonë aktuale si motivacion për të tejkaluar vështirësitë me të cilat po ndeshemi, udhërrëfyes për njeriun e sotëm që ka filluar të humb veten pas gjërave të kësobotshme. “Besimtari i devotshëm është i obliguar të ndjek traditën e Muhamedit a.s, të frymëzohet nga porositë që ai ia ka lënë në trashëgim mbarë njerëzimit me të cilat mësohet se Islami është fe e mirëkuptimit dhe dialogut pa marrë parasysh dallimet për nga feja, kombi, raca dhe kultura”, tha Haxhi Sulejman Efendi Rexhepi.
Pesë shekuj medrese
Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, me të njëjtin rast i uroi të pranishmit edhe për njëzet e pesë vjetorin të ripërtëritjes së Medresesë Isa Beu në Shkup. “Duke u nisur nga këto baza ne për 25 vite me radhë në Medresenë Isa Beu në Shkup arritëm që në këtë frymë të shkollojmë gjenerata të reja intelektualësh dhe imamësh. Prandaj falë besimit të palëkundur në Allahun Fuqiplotë dhe sakrificave e angazhimeve të brezave tanë, ne po krijojmë hapësirë dhe mundësi që kjo dituri të përçohet nga brezi në brez dhe sot krenohemi që kemi mbi 1300 studentë të diplomuar dhe mbi 600 të tjerë që shkojnë asaj rruge. Me këto që ne kemi arritur, kemi të drejtë të besojmë dhe shpresojmë se në dyert tona po troket një vit tjetër islam i madh dhe i bardhë; vit me më shumë shpresë, mirëkuptim, dashuri, punësim dhe begati”, theksoi Haxhi Sulejman Efendi Rexhepi.
Duke dhënë urimin me rastin e Vitit të Ri Islam- Hixhri 1431, lideri i institucionit më të lartë fetarë në vend tha që viti që vjen le të jetë vit plot gëzime, shëndet, mbarësi dhe suksese për ju, familjet tuaja, dhe të gjithë ata që ju do zemra.
Me rastin e 25 vjetorin e ripërtrirjes së Medresesë “ Isa begu” në Shkup edhe Agron Vojnika kishte përgatitur një dokumentarë “5 shekuj medrese” nga i cili dokumentarë shumë lehtë kuptohej rëndësia e këtij institucioni fetarë që ka luajtur gjatë shekujve për emancipimin e gjeneratave ndër shekuj. “Medreseja Isa Beu” vazhdon traditën e medresesë se dikurshme me të njëjtin emër, e themeluar në shekullin XV, nga Isa Beut, një ndër mbrojtësit më të njohur të Shkupit. Kjo Medrese, në të kaluarën ka prezantuar institucionin më të lartë arsimor dhe njihej si shkollë më me famë në Rumeli, ndërsa pas ndërprerjes së kohëpaskohshme të punës së saj nga faktori luftë në Ballkan, Bashkësia Islame solli vendimin për fillimin e vitit të ri shkollor më 1984. Prej atëherë e deri më sot BFI krenohet me numrin prej 1300 të diplomuarve duke përfshirë një gjeografi të gjërë myslimane në Ballkan. “Dora që përkund djepin, arsimon dhe kombin” ishte porosia që dha Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, Reis ul Ulema Haxhi Sulejman Efendi Rexhepi gjatë shfaqjes së filmit dokumentar “5 shekuj medrese” të përgatitur nga Agron Vojnika.
| < Prev | Next > |
|---|