Home Aktualitete Vargu i xhamive të reja

Vargu i xhamive të reja

Inaugurim xhamie në Strimnicë të Tetovës

Më 27 Dhjetor 2009 në fshatin Strimnicë të Tetovës u bë inaugurim i xhamisë, gurthemeli i së cilës u hodh më 03 Janar 2009. Në këtë solemnitet morri pjesë përfaqësuesi i Reis ul Ulemasë, H. Sulejman ef. Rexhepi, Sekretari i përgjithshëm i BFI, H. Afrim ef. Tahiri. Në mesin e të pranishmëve pjesëmarrës ishin Myftiu i Myftinisë së Tetovës, h. Alifikri ef. Esati, referentët e Myftinisë në fjalë dhe qytetarë të shumtë.

Fillimisht fjalë përshëndetëse kishte këshilli iniciativ për ndërtimin e xhamisë, pastaj të pranishmëve iu drejtua imami i xhamisë dhe Myftiu i Tetovës, H. Alifikri ef. Esati.Myftiu i Tetovës lavdëroi qytetarët për këtë kontribut të dhënë për përfundimin e kësaj xhamie dhe lëshimin e shpejt të saj në përdorim, mes tjerash apeloi që edhe më tej të kontribuojnë në ruajtjen dhe mbrojtjen e vlerave fetare Islame.


Me rastin e inaugurimit të kësaj xhamie fjalë rasti mbajti Sekretari i përgjithshëm i BFI, H. Afrim ef. Tahiri i cili para të pranishmëve shpalosi një ajet Kur’anor ku Allahu Fuqiplotë thotë: “E drejtë e përkujdesjes së xhamive të All-llahut është vetëm e atij që i ka besuar All-llahut dhe ditës së mbramë e që e falë namazin, jep zeqatin e nuk i frikësohet askujt pos All-llahut. Të tillët do të jenë të udhëzuarit (në rrugën e drejtë).”( Teube: 18).

Përmes kësaj fjale Hyjnore të Allahut xh.sh, Sekretari i përgjithshëm shpalosi urtësitë që burojnë se:” Besimtarët që kanë besim të shëndosh dhe të fuqishëm në Allahun xh.sh, në fjalën e Tij, në botën tjetër, dhe se në vazhdimësi respektojnë çdo parim dhe normë fetare Islame janë ata që përkujdesen gjithmonë për ngritjen e shtëpive të Allahut. Këta janë figurat dhe personalitetet më të lavdëruar dhe më të ngritur në mesin tonë, ndërsa pëjetësisht të gjallë në kujtesat e njerëzve”. Ai shtoi se: “ Në vitin 2009 përkundër shumë vështirësive për BFI ka qenë një vit me shumë të arritura në sfera të ndryshme, janë hedhur dhjetëra gurthemele të xhamive dhe të njejtat janë lëshuar në përdorim.

Është investuar në institucionet edukativo- arsimore siç është Medreseja Isa- Beu. Viti 2009 BFI e filloi pikërisht këtu tek ju me rastin e gurthemelit të kësaj xhamie dhe po e përmbyll këtu me rastin e inaugurimit të xhamis. Më lejoni që para jush të shpreh edhe porosinë e Reis ul Ulema që publikisht të falënderoj Myftiun e juaj për sukseset e arritura gjatë këtij viti. Sukseset më të mëdha të BFI gjatë vitit që po lëmë kanë qenë pikërisht në Myftininë e Tetovës, me çrast para disa muajve u lëshua në përdorim godina e re e paraleles së vajzave të Medresesë Isa- Beu.”

“ Të mendohet për ndërtimin e xhamive është sevap, të ndihmosh në ndërtimin e tyre është sevap, të marrësh pjesë në ngritjen e tyre është sevap, të vizitosh xhami është sevap, të nisesh për në xhami është sevap, të qendrosh brenda saj është sevap, të përkujtosh Allahun, të adhurosh Atë gjithashtu është sevap, por edhe të dalësh nga ajo për të shkuar e kërkuar rizkun gjithashtu është sevap.”- theksoi Sekretari i përgjithshëm i BFI-së. Në fund duanë e këtij inaugurimi të xhamisë së re e bëri kryeimami i Myftinisë së Tetovës, Ejup ef. Selmani.