Home Aktualitete Press Konferencë për mediat

Press Konferencë për mediat

Atak ndaj të vërtetës nga ana e zv.Kryeministrit Ademi!

Sot më 22 Janar 2010 në lokalet e Bashkësisë Fetare Islame u mbajt press konferencë për mediat lidhur me deklaratat e pavërteta të zv. Kryeministrit të Qeverisë së R.M, Abdulaqim Ademi në emisionin Rruga drejt.. në Televizionin Alsat-m.

Ku para gazetarëve Reis ul Ulema së bashku me përgjegjësit tjerë të kreut fetarë me argumente dhe me të dhëna arkivore nga shërbimi i BFI në tërësi hodhën poshtë vlerësimet e zv. Kryeministrit lidhur me ndërtimin e Xhamisë Burmali në sheshin e Shkupit.Në vijim në tërësi e keni deklaratën e Reis ul Ulema të dhënë mediave:

Të nderuar gazetarë,
Përfaqësues të mediumeve të shkruara dhe elektronike

Zëvendëskryeministri Abdylaqim Ademi,  ka dështuar ta garantojë procesin, ta garantojë transparencën dhe njëkohësisht edhe sigurinë e informacionit të drejtë në emisionin “Rruga drejt” , gjatë debatit në studion e  Tv Alsat-M,  derisa  sa folte për rindërtimin e Burmali Xhamisë, punës së Bashkësisë Fetare Islame dhe  ndërtimit të Qendrës Islame këtu në Shkup.
Nga debati i tij i karakterizuar nga konfuzioni, kontradita, mosnjohja e procesit, mungesës së informacionit,  të bënte përshtypje se ky Abdylaqim Ademi, rastësisht po  luan rolin e zëvendëskryeministrit shqiptarë sa për sy e faqe në Qeverinë Gruevski. Gjithë çfarë tha, ishte gënjeshtër, shpifje, ofendim i rëndë, jo vetëm për BFI si institucion por për të gjithë myslimanët në Maqedoni.


Zëvendës kryeministri Ademi sa herë që folte për rindërtimin e Burmali Xhamisë, aq herë edhe gënjente opinionin, e aq më tepër kur thotë citoj  “toka e cila i është falur Kishës Ortodokse është bërë në pajtueshmëri me BFI e cila kërkon tokë tjetër për të ndërtuar rezidencë e jo Burmali Xhaminë”. Përfundim citati. 
Kjo  përveç që është një shpifje e rëndë ndaj të vërtetës,  është edhe një arsye plus që nxjerr në shesh se Ademi aty ku është,  nuk ka idenë se çfarë ndodh rreth tij.

Ai në cilësinë e zëvendës kryeministrit,  në vend që të vihet në shërbim të çështjeve që preokupojnë shqiptarët dhe myslimanët në Maqedoni,  na jep përshtypje se ai bëhet instrument i politikave dashakëqija që nuk ia duan të mirën islamit dhe shqiptarëve këtu tek ne.
Sa i përket ndërtimit të Qendrës islame dhe rindërtimit të Burmali Xhamisë, shihet qartë se ai punët i ka të ngatërruara dhe në jetën politike këtu në Maqedoni është shumë vonë dhe nuk ka njohuri për çështjet.
Arkivi i BFI dëshmon të vërtetën për të cilën Abdylaqim Ademi asnjëherë nuk ka qenë i interesuar ta mësoj,  jo nga ne por edhe nga kolegët e tij partiak që dinë shumë mirë punën e BFI në lidhje me ndërtimin e Qendrës Islame dhe Burmali Xhamisë.


Sa për informim të zëvendës kryeministrit Ademi, kërkesa e BFI-së për Qendrën Islame daton që nga viti 2000 kur në Qeveri ishte Lupço Georgievski. Takime të pandërprera kemi pas edhe më vonë, me të gjithë qeveritë tjera si ajo e Cërvenkovskit, Buçkovskit dhe tani me këtë të Gruevskit. Për këto kërkesa, duhet të ketë arkiv në Qeveri. Nëse përton ti lexosh atëherë pyet edhe kolegun tënd Musa Xhaferri i cili ka marrë pjesë në një takim tonin me ish kryeministrin Cërvenkovski ku ne përsëritëm kërkesën tonë për ndërtimin e Qendrës Islame dhe çështjeve të tjera në interes të ruajtjes së vlerave të vërteta islame këtu në Maqedoni.


Për Qendrën islame informacione të punës së palodhshme tonën mund të marrësh edhe nga ish ministrat e partisë nga vjen që kanë udhëhequr dikasterin e Transportit dhe Lidhjeve duke filluar nga Milaim Ajdini, Agron Buxhaku, Xhemajli Mehazi dhe të gjithë të tjerët. Të dhëna të kërkesave tona mund të gjesh edhe në Komunën e Çairit që në kohën kur atë komunë e udhëhiqte Aco Milenkovski. 
Të gjithëve ndaras u kemi bërë kërkesa që ti jepet pronë BFI për të ndërtuar Qendrën Islame, por të gjithë përfshirë dhe ty sot, në vend që të kujdeseni të ndani tokë për fenë që tani dyshoj se ju  i takoni, ju më tepër merreni për ti dhënë tokë Kishës Ortodokse gati në çdo qytet të Maqedonisë të ndërtojë rezidencat e saj, por jo edhe BFI.

Pas 10 vitesh kërkesave në vend që të uleni dhe të zgjidhni këto çështje ju zgjodhët shpifjen, gënjeshtrën, ofendimin, mos informimin e drejtë në adresë të BFI me qëllim që të fshihni paaftësinë tuaj politike që të menaxhoni me situatat.


Edhe për rindërtimin Burmali Xhamisë, BFI-ja ka çfarë të tregoj. Takime të ndryshme me përfaqësues të ndryshëm të niveleve të larta shtetërore, për të cilat takime shpesh kemi mall të shohim një përfaqësues shqiptarë të partisë tuaj, letra dhe komunikata zyrtare   me ministri të ndryshme, dokumente, të gjitha këto vetëm për një qëllim të caktuar. Të rindërtohet Burmali Xhamia aty ku ka qenë.


“Të thuash se BFI e ka shitur pronën e Burmali Xhamisë” kjo do të thotë se në karrigen e zëvendës kryeministrit ti je ulur shumë figurativisht dhe se aty je vetëm për të duartrokit, prandaj edhe e folura jote pa  mos njohur çështjet nuk është e rastësishme.


Kjo na çon të besoj se edhe kontakti i juaj me liderin e partisë suaj Ali Ahmeti nuk është në nivelin e duhur.
Në një letër dërguar kryeministrit Gruevski por edhe liderit tuaj Ahmeti, BFI bën shumë të qartë qëllimin e saj se qoftë edhe një mysliman të mbesi në Shkup, BFI si institucion nuk heq dorë nga kërkesa për rindërtimin e Burmali Xhamisë.


Pendimi për gënjeshtrat, ofendimet sipas fesë islame  nuk është shenjë dobësie  por  nënkupton guximin për të njohur gabimet, si dhe vullnetin për t’u rikthyer në rrugën e drejtë. Nëse tek ju së paku edhe një gram ndërgjegje që flet se je mysliman, BFI të jep të drejtës që ti kërkosh falje publike si kryeut të BFI-së ashtu edhe të gjithë myslimanëve në Maqedoni, për shpifje, ofendim dhe deklarimit të pavërtetave të cilat mund të provokojnë  urrejtje, ndarje  dhe mos durim fetarë.


Nëse në një afat prej 24 orësh, ju nuk e bëni këtë atëherë BFI do të jetë e detyruar, që në emër të dinjitetit të institucionit dhe besimtarëve,  të marrë të gjithë masat ligjore që ndaj jush të parashtrojë padi penale sipas Nenit 172 të Kodit Penal dhe akuzë deri tek Prokurori Publik për ndjekje të kryesit të veprës penale për provokim të urrejtjes nacionale, fetare dhe racore, ndarje dhe pakënaqësisë sipas nenit 319 të Kodit penal të Maqedonisë.
Dhe në fund, BFI-ja ju bën thirrje të gjithë besimtarëve mysliman në Maqedoni se ky institucion i lartë fetarë,  për sa i takon Qendrës islame, Burmali Xhamisë, çështjeve të vakufit si dhe të gjithë çështjeve të tjera fetare, asnjëherë nuk do të lejoj që të diskriminohen dhe gjithmonë do të reagoj në mënyrën sa më të ashpër për të ruajtur dinjitetin, sigurinë dhe barazinë qytetare. 


Kryetar i BFI-së në RM
Reis Ul Ulema
H. Sulejman ef. Rexhepi

Në vazhdim të këtij pressi u shpalosën edhe dokumentacionet të cilat i ka dërguar BFI institucioneve relevante të pushtetit qëndror dhe lokal që kanë të bëjnë me rindërtimin e Burmali Xhamisë në sheshin e qytetit të Shkupit.