Home Intervista Bashkatdhetarët dhe Islami në Evropë

Bashkatdhetarët dhe Islami në Evropë

As në kohën kur islami kishte ushtri të mëdhaja, as në kohën kur muslimanët kishin tonelata ari, nuk mundën ta çojnë Islamin përtej Danubit. Askujt nuk i nevojiten luftë dhe forcë për ta pranuar dhe respektuar tjetrin ashtu si është.


Nga Agron Vojnika
Sot islami e ka kaluar Danubin dhe pikërisht ju të nderuar bashkatdhetarë jeni ata që kanë më tepër meritë për këtë gjë. Por njëherit nuk duhet ta harroni asnjëherë se juve jeni edhe ambasadorë të vendit tonë dhe ambasadorë të islamit në këtë vend të Evropës. Prandaj mirësia juaj dhe veprat e mira do të jenë gjërat e vetme të cilat do të vlerësohen si nga të tjerët ashtu edhe nga ne”.

Kryetari i Bashkësisë Islame të Maqedonisë - Reis Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi, ishte i ftuar Special nga Qendra Islame Shqiptare në Austri dhe në Qendrën Islame Shqiptare në Itali. “Me të vërtetë, All-llahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë ç’kanë në vetvete.” (Suret er-Rra’d: 11)

Vjena – Kryeqyteti i Evropës

Në vizitën zyrtare që i bëri Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame Reis ul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi Qendrës Islame në Vjenë, gjatë muajit të Bekuar të Ramazanit, pos shumë takime që u zhvilluan me mërgimtarët tanë në Austri, u zhvilluan edhe takime të nivelit të lartë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Austrisë me qëllim që të krijohet një klimë më e përshtatshme në bashkëpunimin mes Bashkësisë Fetare Islame të RM-së dhe Institucioneve të shtetit Austriak, si dhe në nivelin akademik mes Fakultetit të Shkencave Islame dhe universitetit të Vjenës, departamentit për çështje ndërkombëtare.

Gjatë tërë takimeve me bashkatdhetarët tanë, Reis ul Ulemaja i njoftoi të pranishmit me punën dhe aktivitet e vazhdueshme që i bën Bashkësia Fetare Islame e RM-së për të krijuar një taban më të fortë të Islamit në vendin tonë, si dhe për ta vazhduar traditën disa shekullore në këto troje, duke e kultivuar Islamin burimor. Njëherit duke i aplikuar këto vlera dhe mësime që burojnë nga Kur’ani i Pavdekshëm, ne do të ndikojmë për të mirën e shoqërisë, kombit dhe atdheut tonë. Promovimi i këtyre vlerave nuk do mend se është në funksion të gjerë dhe me këtë ne i dëshmojmë dhe tregojmë Botës demokratike se ne në Maqedoni jemi të përkushtuar që të ndërtojmë një shoqëri të lirë e demokratik ku diversiteti në kombësi e fe duhet parë si vlerë për integrim në shoqërinë evropiane e jo si pengesë që sjell përplasje e dhimbje.

Pas një dite të gjatë pune dhe me shumë takime, disa orë para Iftarit të 20-të të muajit të bekuar të Ramazanit, Reis ul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi hypi në aeroplanin e fundit të ditës që fluturonte për në Austri, vendin me plot kulturë i cili ndodhet në zemër të Evropës. Duke mos treguar në asnjë moment të udhëtimit lodhje apo mëdyshje, gjatë gjithë fluturimit i refuzonte me buzëqeshje stjuardesat të cilat i ofronin diçka për të pirë apo për të ngrënë. Fillimisht ato nuk e dinin arsyen, por më pas e kuptuan se çka ishte qëllimi i një refuzimi të tillë dhe kërkuan falje me plot respekt ndaj Reisit. Pas fluturimit prej një orë e gjysmë, më në fund në horizont u duk edhe qyteti i Vjenës. Nga qielli shikohej lumi Danub, për të cilin Reis ul Ulemaja tha se do të tregonte një sekret, por këtë do ta bënte më vonë.

Në dalje të aeroportit të Vjenës, Reisin e priti delegacioni i pritjes, të cilët gjatë udhëtimit për në qendrën islame, e njoftuan Reisin me të rejat e komunitetit shqiptar në Vjenë dhe në Austri, në përgjithësi. Ata paraprakisht kishin organizuar një Iftar dhe pjesa tjetër e delegacionit i cili do të bënte pritjen e Kreut të Bashkësisë Fetare Islame të RM-së, ndodhej pikërisht në një restorant me kuzhinë tradicionale turke.

Rruga deri tek restoranti ishte e gjatë, por në asnjë moment e lodhshme. Në shoqërinë e dy nikoqirëve, ajo u duk shumë e shkurtër, për vetë faktin se gjatë tërë rrugës na njoftonin për qytetin, të cilit askund nuk i dukej fundi. Në çdo rrugë, shiheshin ndërtesa të vjetra, të ndërtuara me shije dhe në secilën kishte statuja të bukura dhe të gdhendura në gur dhe mermer. Pak si në të qeshur, njëri nga nikoqirët tanë tha se Vjena që në kohën kur është ndërtuar, ka qenë e dedikuar me qëllim që të bëhet Kryeqyteti i Evropës. Por kur mbaron qeshja, në esencë, ky qytet vërtet i ka të gjitha atributet për të qenë kryeqendër e Evropës.
Pas një kërkimi prej më shumë se 20 minuta për një vend parkimi, më në fund u gjet një vend i përshtatshëm në afërsi të restorantit. Aroma e gjellëve të ndryshme dhe atmosfera që ishte krijuar në restorant, të jepte përshtypjen se ndodheshe në ndonjë lagje të Stambollit, e jo të Vjenës. Por gjithsesi, rasti për ta shijuar kuzhinën turke në një iftar gjatë muajit të bekuar të Ramazanit, ishte një kënaqësi shtesë. Delegacioni që priste Reis ul Ulemanë, kishte rezervuar tavolinën qendrore në atë restorant gjigant, ku ishin prezent qindra besimtarë të cilët prisnin të bënin iftar. Nuk shkoi gjatë dhe u dëgjua edhe ezani. Qindra besimtarë filluan iftarin duke u dëshiruar njëri tjetrit që Allahu fuqiplotë tua pranojë agjërimin e ditës.

Pas ngrënies së iftarit, me delegacionin e pritjes u drejtuam për në xhaminë – gjegjësisht Qendrën Islame Shqiptare në Vjenë, e cila njëherit ishte një nga qendrat më të mëdha të bashkatdhetarëve tanë në Austri. Fillimisht Reis ul Ulemaja i vizitoi të gjitha hapësirat e kësaj qendre, përfshi këtu edhe bibliotekën dhe më pas që të gjithë të pranishmit u drejtuan në pjesën e poshtme – faltoren, për ta falur akshamin dhe taravinë. Më pas Kreu i BFI-së mbajti një ligjëratë për rëndësinë e muajit të bekuar të Ramazanit dhe rëndësinë e pasjes së një xhemati të tillë, i cili me dinjitet do të na përfaqëson në Evropë.
Lidhur me këtë, në një moment, Reis ul Ulemaja, u tha të pranishmëve në këtë qendër: “Të nderuar vëllezër. Vendi jonë ka aspirata dhe po bën të gjitha përpjekjet për tu bërë pjesë e Bashkimit Evropian. Ndërsa ne si Bashkësi Fetare Islame, nëpërmjet jush, kemi kohë qe jemi pjesë e kësaj familje të madhe. Ju jeni ambasadorët tanë dhe përfaqësuesit e treguesit më të mirë se edhe atdheu jonë meriton të bëhet pjesë e kësaj familje të madhe demokratike. Njëherit ky është një privilegj, por edhe detyrim që na detyron që të gjithë ne, që veprat tona të jenë të shumta dhe shembullore”.

Takimi në Ministrinë Federale për Punë Evropiane dhe Ndërkombëtare

Ditën e dytë, gjithçka shkoi në frymën e përgatitjeve për takimin paraprakisht të akorduar në Ministrinë Federale për Punë Evropiane dhe Ndërkombëtare, ku Reis ul Ulemaja pati një takim me Magjistër Ernest Aichinger, të cilin fillimisht Kreu i BFI-së e njoftoi për punën e Bashkësisë Fetare Islame, dhe sistemin edukativo arsimor në Fakultetin e Shkencave Islame.

Gjatë një bisede të këndshme, u arrit marrëveshje për thellimin e bashkëpunimit mes këtyre dy institucioneve në të ardhmen.
Më pas, Reis ul Ulemaja kishte mundësi për një shëtitje në qytetin e Vjenës dhe vizitoi disa ndërtesa me rëndësi historike në këtë vend.
Në mbrëmje ishte organizuar një iftar në Shoqatën Kulturore të Shqiptarëve Muslimanë në Xhaminë Vëllazërimi në Krems, diku rreth 80 kilometra larg Vjenës.

Reis ul Ulemanë në hyrje të xhamisë e priti xhemati i kësaj xhamie të kryesuar nga h. Zekirija Bajrami.
Gjithashtu në këtë Iftar ishte i Ftuar Kryetari i Bashkësisë Fetare të Austrisë, ambasadorë muslimanë të disa vendeve, si Turqisë, Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinës, e tjerë, si dhe mysafirë të shumtë nga vende të ndryshme Evropiane.

Fillimisht sapo thirri ezani, të pranishmit bënë iftar me nga një urmë e më pas e falën namazin e akshamit, ku namazit i parapriu një imam i përkatësisë boshnjake ndërsa muezin ishte profesori i Medreses Isa Beu, Mahir Asani. Më pas në nder të mysafirëve të lartë u shtrua një iftar sipas traditës shqiptare në ambientet e xhamisë, i përgatitur pikërisht në kuzhinën e xhamisë.

Reis ul Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi i përshëndeti të gjithë të pranishmit, ku mes tjerash tha:
“Të nderuar vëllezër, kam kënaqësi të veçantë që sonte përmes këtij iftari të organizuar nga Unioni i Shqiptarëve Muslimanë të gjendemi të gjithë sëbashku këtu në këtë vend, i cili është në kuadër të një tempulli të shenjtë – xhamisë, e cila sipas informatave që kam është pronë e muslimanëve tanë. Këtë aktivitet që kanë bërë muslimanët tanë dhe kanë ardhur deri në përfundim që të kenë edhe pronën këtu, të gjitha ata që kanë kontribuar janë angazhuar dhe janë aktivizuar dhe kanë dhënë djersën e vetë, Allahu xh. sh. i shpërbleftë me shpërblimet më të çmueshme që i ka Madhëria e tij.

Nga an tjetër kam kënaqësi të veçantë, se iniciativa e fundit është që të shihet forma më e suksesshme organizative, pra të gjitha qendrat, dymbëdhjetë sa janë, të veprojnë nën ombrellën e një unioni. Kjo është një përpjekje maksimale për të realizuar një dispozitë, parim fundamental islam e ai është që sa më tepër të ruhet bashkimi dhe uniteti. Ju të gjithë e dini se imperativi i Kur’anit të Pavdekshëm është se: Obligim e kemi të shenjtë që të gjithë të kapemi për litarin e Allahut fuqiplotë dhe nuk lejohet që të shpërndahemi, të copëtohemi dhe të grindemi”...
Pas këtij mesazhi dhe thirrje për unitet, Reis ul Ulemaja kishte mundësi që të bisedon me të gjithë të pranishmit dhe tu sjell lajmet e mira nga veprimtaria e suksesshme e Bashkësisë Fetare Islame e Maqedonisë.

Ambasadorët e islamit në Evropë

Pas mbarimit të Iftarit, përderisa po ktheheshim për në Vjenë, të shoqëruar nga z. Rushani dhe Zekiriai, Kreu i BFI-së kërkoi që të vizitonte brigjet e Danubit. Fillimisht Reisi kishte premtuar se do të na tregonte diçka në lidhje me Danubin dhe tani të gjithë ne mezi prisnim të dëgjojmë nga Reisi se çka ishte ai sekret.
Sapo arritëm përreth brigjeve të Danubit, përderisa dëgjohej vetëm zhuzhurima e valëve të lumit, Reis ul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi u kthye nga ne e me një zë të qartë na tha: “Të nderuar. Sonte po qëndrojnë buzë këtij lumi, aty ku para shumë shekujve më parë ka qëndruar një nga ushtritë më të mëdha Islame. Në vitin 1529, pra pikërisht para 480 viteve, Sulejmani i Madhërishëm i cili udhëhoqi me Ushtrinë Otomane, bëri përpjekjet e para për ta pushtuar qytetin e Vjenës. Po në të njëjtin vit ai dështoi dhe pranoi se Islami kishte arritur në kufijtë maksimal të Evropës, e nuk mundte të shkon më tej.

Domethënë, as në kohën kur islami kishte ushtri të mëdhaja, as në kohën kur muslimanët kishin tonelata floriri, nuk mundën ta çojnë Islamin përtej Danubit.
Vetë prezenca jonë këtu, na bën të mendojmë për të kaluarën, por edhe për të ardhmen. Askujt nuk i nevojiten luftë dhe forcë për ta pranuar dhe respektuar tjetrin ashtu si është. Sot islami e ka kaluar Danubin dhe pikërisht ju të nderuar bashkatdhetarë jeni ata që kanë më tepër meritë për këtë gjë. Por njëherit nuk duhet ta harroni asnjëherë se juve jeni edhe ambasadorë të vendit tonë dhe ambasadorë të islamit në këtë vend të Evropës. Prandaj mirësia juaj dhe veprat e mira do të jenë gjërat e vetme të cilat do të vlerësohen si nga të tjerët ashtu edhe nga ne”.

Një Iftar në Itali

Pak minuta pas ngrënies së syfyrit, u nisëm drejt aeroportit të Vjenës. Aeroplani i cili fluturonte me destinacion nga Vjena për Millano ateroi në orët e para të mëngjesit. Jashtë aeroportit prisnin përfaqësues të Xhamisë Nur z. Arben Elezi, Kryetar i Qendrës Kulturore Islame e Shqiptarëve të Maqedonisë dhe imami i caktuar nga BFI-ja në këtë xhami z. Reshat Ibishi.

Pasi u përshëndetën me Reis ul Ulemanë, u nisëm për në qytetin e Casaloldo në rajonin Mantua, diku rreth 180 kilometra larg Milanos.
Gjatë udhëtimit, z. Arbeni, një mërgimtar i vjetër në Itali, e njoftoi Kryetarin në lidhje me jetën e bashkëvendësve tanë si dhe me organizimin e jetës fetare në përgjithësi në shtetin Italian. Ishte shumë mbresëlënës fakti se të gjithë shqiptarët, pavarësisht se nga vinin, Maqedonia, Kosova apo Shqipëria, kishin formuar një komunitet të fuqishëm dhe unik. Organizimi i tyre ishte mjaft i suksesshëm, ndërsa të gjitha manifestimet i bënin bashkërisht. Nga ana tjetër vërehej edhe një respekt nga vendasit të cilët kishin formuar simpati të mëdha ndaj këtyre mërgimtarëve të cilët me sjelljet e tyre shembullore dhe me punën e ndershme jepnin pasqyrë shembullore për shoqërinë në të cilën vepronin.

Pas një pushimi të vogël, Kreu i BFI-së Reis ul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi, u nis për të takuar Kryebashkiaken e Casaloldos zonjën Patrizia Leorati, e cila kishte mjaft njohuri për Islamin në përgjithësi si dhe për komunitetin musliman që vepronte në qytetin që udhëhiqej prej saj. Pak para se të fillonte takimi, z. Arben Elezi e njoftoi Kreun e BFI-së për ndihmën e sinqertë që Kryebashkiakja ua kishte ofruar komunitetit musliman në këtë rajon si dhe për administratën tepër korrekte të kësaj komune, gjatë ngritjes së tempullit fetar gjegjësisht Xhamisë Nur.

Në takimin me zonjën Patrizia Leorati, Reis ul Ulemaja ishte i shoqëruar nga Shefi i Kabinetit Agron Vojnika, Kryetari i Qendrës Kulturore Islame e Shqiptarëve të Maqedonisë dhe imami i caktuar nga BFI-ja në xhaminë Nur z. Reshat Ibishi.

Fillimisht Kreu i BFI-së e njoftoi znj. Loreati me veprimtarinë dhe organizimin e Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni si dhe organizimin dhe veprimtarinë jashtë vendit, siç është rasti me Qendrës Kulturore Islame e Shqiptarëve të Maqedonisë në Itali dhe simotrave të tjera në mbarë vendet e Evropës.
Kryebashkiakja e Casaloldos u befasua këndshëm nga fjalët e Reisit dhe i premtoi Atij që në të ardhmen do të bën edhe më tepër që ta ndihmon Qendrën Kulturore Islame të Shqiptarëve të Maqedonisë në integrimin sa më dinjitoz në shoqërinë italiane.

Përderisa po i afrohej fundi takimit në Komunë, po afrohej edhe koha e Iftarit dhe delegacioni ishte i detyruar që të përshëndetet me Kryebashkiaken dhe ti falënderohet asaj për gjithë ndihmën e dhënë.

Në brigjet e liqenit më të njohur në Itali, Manerba, ishte përgatitur edhe iftari i shtruar në nder të Reis ul Ulemasë, në Hotel Restorantin Bellerive, ku pronari ishte një shqiptar – biznesmen i suksesshëm, i cili pas rrëzimit të sistemit diktatorial në Shqipëri kishte migruar bashkë me familjen e tij. Familja e tij kishin arritur të bëheshin pronarë të disa restoranteve prestigjioze në atë rajon. Vlen të theksohet fakti se në çdo rast i kishin dalë në ndihmë komunitetit musliman gjatë të gjitha aktiviteteve fetare dhe organizimit të jetës fetare.

Shumë bashkatdhetarë prisnin në hyrje të restorantit dhe i dëshiruan mirëseardhje Reisit. Iftari ishte shtruar në një kombinim mes kuzhinës italiane dhe asaj shqiptare. Fillimisht u shtrua një specialitet me oriz dhe fruta deti e më pas, sipas traditës shqiptare u soll edhe një qengj i pjekur në hell.
Fatkeqësisht, menjëherë pas ngrënies së Iftarit, delegacioni duhej të çohej, duke mos e shijuar pak më gjatë atë ambient të bukur në brigjet e liqenit “Romantica of Manerba”, sepse rruga deri në xhaminë Nur merrte rreth 40 minuta, e po afronte koha e taravisë.

Sapo u afruam në hyrje të xhamisë, vërehej entuziazmi i të pranishmëve. Turma njerëzish me padurim prisnin të takohem me Udhëheqësin shpirtëror të muslimanëve të Maqedonise dhe të shtrëngonin duart me të. Sapo hyri Reis ul Ulemaja në Xhami, të gjithë të pranishmit u futën brenda dhe zunë vendet e tyre duke e mbushur përplot xhaminë.

Imami Reshat Ibishi e njoftoi xhematin se ligjëratën e asaj nate do ta mban Reis Ul Ulema i Bashkësisë Fetare Islame në RM, H. Sulejman ef. Rexhepi.
Kreu i BFI-së fillimisht i përshëndeti të pranishmit duke ju dëshiruar agjërim të lehtë dhe suksese në punët e tyre. Ai gjithashtu foli për rëndësinë e muajit të bekuar të Ramazanit si dhe për aktivitetet e BFI-së si në vend ashtu edhe jashtë. Reis ul Ulemaja gjithashtu kërkoi nga të pranishmit që të vazhdojmë me punë të mira dhe të jenë shembullorë në çdo veprimtari të tyren, sepse vetëm ashtu mund ta përfaqësojnë kombin tonë dhe fenë tonë në mënyrë dinjitoze.
Vlen të theksohet se ligjërata e Reis ul Ulemasë u transmetua drejt për drejt në radion elektronikë që e posedonte kjo xhami, të cilën mund ta ndjekin të gjithë në internet, në ueb faqen www.radio-besimi.com.
Pas faljes së laravisë, reisi i shoqëruar nga Kryetari i Qendrës - Arben Elezi, Nënkryetarvt Faik Aliu dhe Fari Saliu, si dhe nga Imami Reshat Ibishi, dolën në tavernën e xhamisë ku për disa orë, deri në syfyr, u shoqëruan me xhematin – bashkatdhetarë tanë që punojnë dhe veprojnë në Itali.

Ndamë edhe disa foto për vizitorët tanë: