Home Te Ndryshme Islami na fton në dituri

Islami na fton në dituri

Të mërkurën më datën 1 tetor 2009, në një atmosferë solemne, Reis ul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi e shpalli të hapur të hapur vitin e ri akademik 2009/2010 në Fakultetin e Shkencave Islame.

Në praninë e shumë studentëve dhe stafit akademik të këtij fakulteti, me në krye Dekanin e FSHI-së Mr. Fahrudin Hebibi, ora e parë akademike u mbajt pikërisht nga Kreu i Bashkësisë Fetare Islame e RM-së, H. Sulejman ef. Rexhepi i cili u shpjegoi studentëve për rëndësinë e studimeve dhe hulumtimeve si dhe sfidave që na presin në të ardhmen. Reis ul Ulema gjithashtu i përshëndeti studentët dhe u dëshiroi shëndet dhe të gjitha të mirat me qëllim që ky vit akademik të jetë sa më i suksesshëm dhe me bereqet. Ai gjithashtu kërkoi edhe nga stafi akademik – profesorët që ta ofrojnë tërë ndihmën e tyre të parezervë për studentët e rinj.

Në vazhdim vijon fjalimi i Reis ul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi, me rastin e hapjes së vitit akademik 2009/2010, që e mbajti në amfiteatrin e Fakultetit të Shkencave Islame.
Përshëndetje të nderuar studentë, të respektuar profesorë , Dekan dhe staf i Fakultetit të Shkencave Islame. Më lejoni që fillimisht në emrin tim personal dhe në emrin e Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë tu përshëndes me përshëndetjen absolute Islame  Eselamu Alejkum...

Vërtetë është një kënaqësi e veçantë që sot ndodhem para jush, në këtë orë të parë të vitit akademik 2009 / 2010.
Për shumë nga ju, posaçërisht për studentët që sot e kanë nderin ta ndjekin orën e parë, emocionet e kësaj dite do të jenë të paharrueshme për një kohë të gjatë. Rruga të cilën do të filloni ta trasoni në Fakultetin e Shkencave Islame, do të jetë rruga e ardhmërisë tuaj, prandaj shfrytëzojeni sa më tepër këtë mundësi që po ju jepet. Dituria është dritarja e jetës, por ajo duhet të ndahet edhe me të tjerët.

Në këtë relacion jorastësisht Allahu Fuqiplotë Muhamedin a.s. ia rekomandoi një dua parimore:
Thuaj (o Muhamed) O zot ma shto diturinë.
Dhe jorastësisht ajejtet e para Kuranore ishin:
“ Lexo, me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi, Krijoi njeriun prej një gjaku të ngjizur ! Lexo, se Zoti yt është më bujari! Ai që e mësoi (njeriun) të shkruaj me penë. Ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte.”( El- Alek: 1-5)

Kërkimi i diturisë është detyrë për çdo musliman. E mbaj mend, shumë vite më parë, ishte e pabesueshme se një ditë Bashkësia Fetare Islame do të ketë Fakultet të Shkencave Islame. Madje ishte e pamundur që të besohej një gjë e tillë.

Por falë besimit të palëkundur në Allahun Fuqiplotë dhe sakrificave e angazhimeve të brezave para jush, sot po qëndrojmë kokëlartë në ambientet e Fakultetit, ku për çdo vit mbjelljen fidanët e rinj të Islamit.  Ne i kryem detyrimet tona dhe e çuam në vend amanetin e të parëve tanë. Tani radhën e keni ju të nderuar studentë, që nëpërmjet dijes tuaj, ta përçoni edhe më tej traditën dhe besimin tonë, tek brezat e rinj.

Islami është feja përmes së cilës njerëzimi pranon udhëzimet përfundimtare nga Krijuesi i gjithësisë, duke e aftësuar për mëkëmbës të tij në tokë. Kur’ani i Pavdekshëm vlerëson lartë jetën njerëzore dhe insiston në civilizimin duke bërë thirrje në dituri. Kështu gjejmë se fjala dituri dhe të tillat që kanë të bëjnë me të, në Kur’anin e Pavdekshëm hasen mbi 780 herë. Ajetet e para me të cilat filloi shpallja e Kur’anit ishin pikërisht mbi rëndësinë e leximit, penës dhe diturisë:

Kur’ani i Pavdekshëm thotë se ata që dinë, nuk janë njëlloj me ata që nuk dinë:

“...Thuaj:”A janë njëlloj ata që dinë me ata që nuk dinë...?”( Ez- Zumer:9)

Prandaj ne po investojmë në diturinë, po investojmë në krijimin e intelektualëve të rinj, që në çdo moment do të dinë të mbrojnë vlerat dhe traditën Islame dhe në çdo moment do të jenë të gatshëm tu bëjnë ballë erërave që po përpiqen ta shkulin këtë besim.

Në këtë drejtim kemi edhe hadithe të shumta, ndër to:
“ Kërkojeni diturinë nga djepi deri në varr.”


“ Ngjyra e pendës së dijetarit do të peshohet me gjakun e dëshmorëve në Ditën e Ringjalljes; dhe pastaj, ngjyra e pendës së dijetarëve do të parapëlqehet më shumë se gjaku i dëshmorëve.”

Sipas fesë islame, respektivisht Kur’anit dhe Sunetit të Muhamedit a.s. shihet se rëndësia e shkencës njihet për dy arsye themelore:
- Roli i shkencës në njohjen e Allahut xh.sh.
- Roli i shkencës në zhvillimin e shoqërisë islame.

Edhe në Kur’anin Pavdekshëm ka shumë ajete që kanë të bëjnë me dituritë natyrore dhe njerëzve u kërkohet që të studiojnë me qëllim që ta njohin Allahun xh.sh. Ajetet që ose përshkruajnë elementet përbërëse të objekteve, ose e urdhërojnë njeriun për t’i zbuluar ato.
Por, dija për dukuritë e natyrës na afron te Zoti vetëm po ta kemi frikë Zotin.

Për këtë arsye El Biruni shkruan:
“Kur njeriu të vendos të dalloj të vërtetën nga gënjeshtra, duhet të studioj gjithësinë dhe të zbuloj nëse ajo është e amshuar apo e krijuar: mundet që dikush mendon se ai nuk ka nevojë për këtë lloj dije, por, sidoqoftë ka nevojë të mendoj për ligjet që sundojnë botën tone, pjesërisht ose tërësisht. Kjo e bën atë të njoh të vërtetën për to dhe hap rrugën për të njohur Qenien, që drejton dhe kontrollon gjithësinë dhe atributet e Saj. Kjo është, në fakt e vërteta që Zoti ua ka urdhëruar robve të Tij të ditur ta kërkojnë dhe Allahu ka folur të vërtetën kur ka thënë :“…dhe thellohen në mendime rreth krijimit të qiejve e të Tokës (duke thënë): Zoti ynë, këtë nuk e krijove kot…” (Ali Imran: 191) 

Nëse njeriu vepron sipas këtij ajeti, ai mund të hyjë në të gjitha degët e dijes dhe të njohjes.” Ne shikojmë se kërkesa e shkencëtarëve muslimanë për të njohur dukuritë natyrore vinte nga fakti se ata e konsideronin këtë dije një nga rrugët më të mira për t’u afruar te Zoti.

Sipas Kur’anit të Pavdekshëm, Islami është fè e gjithësishme (universale):
Thuaj (o Muhammed): “O ju njerëz! Unë jam i dërguari i Allahut tek të gjithë ju.” (A’raf: 158)

“Ne nuk të dërguam ndryshe vetëm se për të gjithë njerëzit, si sihariqtar dhe paralajmërues…” (Sebe’: 28)

Qëllimi i Islamit është të krijojë një shoqëri monoteiste, ku fjala e Zotit është më e larta:
“…E fjalën e atyre që nuk besuan e bëri më të ultë, kurse fjala e Allahut (është) më e larta…” (Teube: 40)

Që të krijohet një shoqëri e tillë dhe që të imunizohet ajo nga rreziqet e jobesimtarëve, bota islame duhet të jetë tërësisht e pavarur. Ajeti i mëposhtëm e thekson këtë:
“…Allahu kurrsesi nuk u jep mundësi jobesimtarëve të kenë mbizotërim të plotë mbi besimtarët.” (Nisa: 141)

Kurse Pejgamberi a.s. ka thënë: “Islami është superior ndaj (gjithë) të tjerëve dhe asgjë nuk mund t’ia kalojë atij.”
Prandaj të nderuara studentë,
Siç shihet qartë, me qëllim që të sigurohet epërsia e Islamit mbi të tjerët, muslimanët duhet të përpiqen të bëhen të pavarur dhe të vetëmjaftueshëm. Është pikërisht kjo arsyeja që juristët e spikatur muslimanë kanë dhënë gjykimin përfundimtar (verdiktin) se çdo vepër që çon në epërsinë e jobesimtarëve mbi muslimanët është e ndaluar të përdoret. Përveç kësaj, ata kanë ardhur në një mendje se është detyrë e shoqërisë islame të sigurojë gjithçka që nevojitet për mbajtjen e saj. Në vetë Kur’anin e Pavdekshëm muslimanët urdhërohen të përgatiten dhe të pajisen në çdo drejtim për të përballuar sfidën e forcave të jobesimtarëve: “E, ju përgatisni kundër tyre sa të keni mundësi, forca dhe kuaj për ta tmerruar armikun e Allahut dhe armikun tuaj…” (Enfal: 60)

Sot, gjithçka rrotullohet rreth boshtit të shkencës dhe të teknologjisë. Prandaj, që të jemi të pavarur dhe të mbështetemi në forcat tona, politika islame duhet të sigurojë të gjitha mundësitë shkencore dhe teknologjike që janë thelbësore për vetëmjaftueshmërinë dhe pavarësinë. Kjo kërkon përgatitjen e specialistëve në nivel më të lartë në çdo fushë të rëndësishme të shkencës dhe të teknologjisë dhe të kihen pajisjet më të mira teknike.


Një hadith i Profetit tonë (paqja dhe bekimet e All’llahut qofshin mbi të!) thotë:
“Pa dyshim, e keqja e të gjitha të këqijave janë dijetarët e lig dhe e mira e më të mirave janë dijetarët e mirë.” 20

Vetë Kur’ani i Pavdekshëm e konsideron besimin fetar faktor thelbësor për të arritur epërsi të gjithanshme.

“Dhe mos u dobësoni (fizikisht) dhe mos u dëshproni (shpirtërisht) se ju do të jeni më të lartit, në qoftë se jeni besimtarë!”  (Ali Imran:139)

Duhet theksuar se me gjithë rëndësinë që ka mësimi i shkencës dhe i teknologjisë, ato nuk konsiderohen të mjaftueshme në vetvete dhe muslimanët duhet, përveç se të ngrënë standardin e tyre në fushat materiale dhe shkencore, të kenë besim të fortë dhe të ndjekin parimet fetare për të përmbushur qëllimet e tyre.
Muslimanët duhet të përgatiten dhe të pajisen në çdo drejtim dhe meqë sot, shkencat eksperimentuese luajnë një rol themelor në çdo aspekt të jetës materiale, fuqizimi i kësaj përmase të politikës islame është domosdoshmëri. Prandaj vendet islame duhet të krijojnë qendra për të zhvilluar kërkimin shkencor dhe teknologjik dhe duhet të përgatisin specialistë të kalibrit të lartë në të gjitha fushat e dobishme të shkencës dhe të teknologjisë.

Në këtë përpjekje, edhe Fakulteti i Shkencave Islame po vendos theksin tek shkencat themelore, që të mund ta çojnë më tej kërkimet shkencore origjinale e jo të imitojnë të tjerët.
.Muhammedi a.s. ka thënë:
 “Besimtari është gjithmonë në kërkim të urtësisë, kudo që ta gjejë atë, ajo është e tij, sepse ai e meriton ta ketë atë me shumë se kushdo tjetër.”

 “Dituria është pasuria e humbur e një besimtari; prandaj, kërkojeni atë edhe po të jetë në duart e politeistëve.”

Dijetarët islamë të së kaluarës e kanë bërë këtë dhe ajo që mendohet për ne është të marrim dije nga të gjithë në mënyrë përzgjedhëse, domethënë, ta pastrojmë atë nga elementet e huaja për Islamin dhe ta rimodelojmë atë në dritën e botëkuptimit islam.
Pikërisht nën udhëheqjen e këtyre parimeve, muslimanët mund të marrin dije nga burime jomuslimane dhe mund ta modelojnë atë për t’iu përshtatur idealeve islame. Pikërisht në kushte të tilla, nivele të ndryshme të dijes mund të bashkërendohen për të arritur qëllimin tonë dhe për t’u afruar te Zoti.

Më lejoni që krejt në fund ta shpalli të hapur këtë vit akademik dhe tu dëshiroj suksese në studime, në hulumtime të mirëfillta, të pajiseni me sa më tepër dituri që të bëheni të fortë e të drejtë, se vetëm ashtu, askush nuk do të mund tu nëpërkëmbë juve si individë e aq më pak si muslimanë. Vetëm duke qenë dijetarë të devotshëm. juve mund ta mbroni: veten tuaj, familjen, shoqërinë dhe kombin në tërësi.
Gjithashtu i lus edhe profesorët e nderuar që njohuritë e tyre ti ndajnë me ju dhe gjithmonë të jenë pranë jush kur të keni nevojë, me qëllim që ky vit akademik të jetë i suksesshëm dhe i bereqetshëm.

Zoti ju shpërbleftë dhe qofshi të bekuar.