Home Te Ndryshme REAGIM

REAGIM

Rindërtimi i Burmali Xhamisë do të jetë legale e legjitime edhe pa lejet dhe pëlqimet tuaja. Muftinia e BFI-së Shkup përmes këtij reagimi shpreh shqetësimin dhe indinjatën e vet përshkak se ju si Kryetar Komune dhe Këshilli i Komunës Qendër- Shkup në suaza të Planit detal urbanistik nuk keni paraparë rindërtimin e Burmali Xhamisë.

Siç u është e bërë e njohur shumë mirë, se ne si Muftini e BFI-së Shkup dërguam letër zyrtare nr. 527 të datës 22-04-2009, me kërkesë deri te ju dhe Këshilli i Komunës Qendër që në përbërje të objekteve tjera të cilat do të ishin pjesë të Sheshit “Maqedonia”, të parashihet edhe rindërtim i Burmali Xhamisë.

Mirëpo, si duket Ju si Kryetar i Komunës Qendër si dhe Këshilli i Komunës Qendër, aspak nuk e keni shqyrtuar këtë kërkesë me seriozitet, saqë nuk na keni dërguar asnjë përgjigje në formë të shkruar.

Gjatë këtyre ditëve jemi dëshmitarë që sipas disa informatave të cilat i dëgjojmë ditëve të fundit kryesisht nga mediat e shkruara dhe elektronike, të njëjtat flasin se rindërtimi i Burmali Xhamisë në sheshin “ Maqedonia” aspak nuk përmendet në Planin detal urbanistik të Komunës Qendër.

Andaj, Ju paralajmëroj se unë si Mufti i Muftinisë së BFI-së Shkup, nuk do të mundem në të ardhmen që t’i kontrollojë besimtarët të cilët çdo ditë vijnë në lokacionet tona dhe kërkojnë që ky problem të zgjidhet menjëherë.

Duhet të keni parasysh faktin se sjelljet tuaja të pamatura e të pakuptimta do të rezultojnë në atë që nëse ndërtohet objekt i religjionit tjetër, rindërtimi i Burmali Xhamisë do të jetë legale e legjitime edhe pa lejet dhe pëlqimet tuaja.

Duke u nisur nga fakti se jetojmë në një shoqëri multikonfesionale, e në veçanti në një qytet multifetar siç është Shkupi, jeni të obliguar që të mendoni më mirë për hapat tuaj të mëtutjeshëm në lidhje me këtë çështje, sepse shumë shpejtë mund të krijoni konflikt ndërfetar në qendrën e qytetit të Shkupit.

Duke patur parasysh se Ju dhe Këshilli i komunës tuaj lejoni ndërtimin e kishës, kurse nuk jeni në gjendje të lejoni rindërtimin e Burmali Xhamisë e cila ka ekzistuar deri në vitin 1924, me këtë hapë Ju dhe Këshilli i Komunës Qendër dëshironi të luani një lojë shumë të rrezikshme, e cila mund të prodhojë konflikte fetare e etnike me përmasa më të mëdha.

Duke ruajtur seriozitetin dhe transparencën si Muftini, kërkojmë nga ju që të caktoni takim urgjent që të ulemi dhe bashkarisht të kryejmë problemin, në të kundërtën pasojat për veprimet e padëshiruara në të ardhmen do t’i bartni Ju si Kryetar i Komunës Qendër-Shkup.

Muftinia e BFI-së Shkup
MUFTIU h. Ibrahim ef.Shabani