Home Te Ndryshme Në frymën e shpirtit human dhe solidar

Në frymën e shpirtit human dhe solidar

Më 28 Janar 2010 në lokalet e Bashkësisë Fetare Islame u realizua pres për media, me këtë rast Reis ul Ulema, H. Sulejman ef. Rexhepi i shoqëruar nga Sekretari i përgjithshëm i BFI, Afrim ef. Tahiri, Myftiu i Shkupit, Ibrahim ef. Shabani, Myftiu i Tetovës, Alifikri ef. Esati dhe Myftiu i Gostivarit, Shaqir ef. Fetahu në prononcimin e tij shprehi mirënjohje për zemërgjërësinë e besimtarëve mysliman që kishin dëshmuar përmes kësaj vepre humane.

Me këtë rast të gjithë ne u solidarizuam me qytetarët e Shkodrës për përmbytjet që i kishin kapluar, andaj Reis ul Ulema i BFI, H. Sulejman ef. Rexhepi para mediumeve shprehi se:


Bashkësia Fetare Islame e RM duke u nisur nga parimet humanitare islame dhe duke parë gjendjen e vështirë të familjeve të përmbytura në Shkodër, vendosi që të realizojë akcion humanitar në nivel të vendit me Muftinitë e BFI-së dhe me Qendrat Islame në Diasporë. Për këtë qëllim më 11 janar të këtij viti, BFI-ja iu drejtua Muftinive dhe Qendrave Islame që akcioni humanitar “T`i ndihmojmë të përmbyturit në Republikën e Shqipërisë”, të realizohet më 15 janar 2010, ditë e premte, pas namazit të xhumasë, nëpër të gjitha xhamitë.


Akcioni humanitar kësaj radhe ka të bëj vetëm me tubimin e mjeteve financiare. Duke patur parasysh gjendjen e vështirë ekonomike të popullatës muslimane në vend dhe në bazë të shifrave të akumuluara në Rijasetin e BFI-së, konsiderojmë se akcioni në fjalë është i suksesshëm, për çka me këtë rast falenderojmë xhematet tona që me kontributin e tyre iu përgjigjen akcionit në fjalë, duke treguar edhe njëherë se popullata jonë ka shpirt humanitar dhe solidar, mbase këtë disa herë e ka treguar në vepër. Lusim Allahun xh.sh. që t`ua pranojë veprën e tyre humanitare dhe për te t`i shpërblejë me dhurata e Tija të pakufishme.


Edhe pse ndihma në fjalë është e grumbulluar nga popullata muslimane, kjo nuk do të thotë se do të ndihmohen vetëm të përmbyturit musliman, por përkundrazi ajo u dedikohet të gjithë të përmbyturëve, pavarësisht se cilës prej tri feve në Republikën e Shqipërisë i takojnë. Ndihma e mbledhur do të dërgohet në destinacionin e duhur javën e ardhshme dhe ajo kap shumën prej 57.410 euro. Ndërkaq, këtu duhet përmendur se një numër i Qendrave Islame në Diasporë, në bazë të Qarkorës sonë, ndihmat drejtpërdrejt i kanë dërguar vetë.

Para mediumeve Sek. i përgjithshëm i BFI-së, Afrim ef. Tahiri shpalosi të gjitha mjetet e tubuara nga Myftinitë e BFI në vend. Siç vijojnë:

- Myftinia e Shkupi          14.420 euro;
- Myftinia e Tetovës         20.110 euro;
- Myftinia e Gostivarit      13.150 euro;
- Myftinia e Kumanovës    3.010 euro;
- Myftinia e Kërçovës        2.350 euro;
- Myftinia e Dibrës            1.770 euro;
- Myftinia e Strugës          1.020 euro;
- Myftinia e Manastirit        930 euro;
- Myftinia e Ohrit                 650 euro.